Disa informacione të rëndësishme që duhet t’i dini rreth pankreasit
Pankreasi është një organ i vendosur pas stomakut dhe roli i tij është të prodhojë disa enzima (apo lëngje) ndihmëse në tretjen e ushqimit dhe prodhimin e disa homoneve mes të cilëve më i njohuri është insulina (hormon që luan rol në ekuilibrimin e sheqerit në gjak).
Pankreasi ndahet në katër pjesë anatomike dhe tumoret e secilës pjesë kanë një përqasje tjetër operative. Për shkak të vendosjes dhe faktit se është i rrethuar nga shumë organe të tjera , shqetësimet e tij neglizhohen pasi një pjesë e mirë e shqetesimeve janë të njëjta edhe me organet rreth e rrotull.
Ashtu sikurse edhe organet e tjera, dhe pankreasi ka disa lloje tumoresh, por më i shpeshti prej tyre është ai që buron prej qelizave prodhuse të lëngut pankreatik dhe quhet në mjekësi adenokarcinom. Një tjetër veçori anatomike e pankreasit është se damarët (arteriet dhe venat) më kryesore të zorrëve kalojnë pikërisht poshtë tij.
Afërsia e këtij organi me këto damarë dhe prekja ose jo e tyre prej masës tumorale luan rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e trajtimit kirurgjikal (sidomos nëse tumori gjendet në kokën e pankreasit).
Ankesat më të shpeshta të kancerit të pankreasit janë zverdhja (e cila shpeshherë shoqërohet me kruajtje në të gjithë trupin), humbja ne peshë (pa ndonjë arsye tjetër si dieta etj), dhimbja e barkut (e cila shpesh herë prek edhe shpinën). Diagnostikimi i tij bëhet nëpermjet aparateve radiologjike si skaneri i barkut, rezonanca magnetike (MRCP), ERCP etj. Endoultrasonografia është një tjetër lloj EKO-je që përdoret kohët e fundit në këtë fushë e cila kryhet nëpërmjet sondës së stomakut dhe ka më shumë ndjeshmëri. Markeri tumoral më kryesor është CA 19-9 analizë kjo që bëhet në gjak dhe rritet tek kanceri i pankreasit dhe i rrugëve biliare.
Kjo analizë u bëhet veç pacientëve që kanë diagnozën dhe nuk përdoret për të verifikuar nëse pacianeti ka kancer apo jo. Trajtimi bazë i kancerit të pankreasit është ai kirurgjikal për të cilin do të flasim me gjëre në artikullin tjetër.