Markerat tumoral janë disa parametra biokimik që maten në lëngjet e ndryshme të trupit ( kryesisht në gjak ) dhe që ndihmojnë mjekun për të dhënë një mendim rreth sëmundjeve tumorale. Disa prej tyre janë PSA, CEA, CA-19-9, CA125, AFP, CA15-3 etj.
Duhet të dimë se:
Markerat tumoral nuk përdoren për diagnostikimin e pacientit që dmth ashtu sikurse rritja e tyre nuk tregon domosdoshmërisht ekzistencën e një kanceri edhe të qënurit e tyre normal nuk vërteton mungesën e një tumori. Këto vlera mund të rriten edhe në disa sëmundje beninje pra që nuk janë kanceroze. Ata shërbejnë si ndihmës në diagnostikim përkrah dyshimit klinik dhe analizave të tjera imazherike dhe patologjike (biopsia).
Dobia e tyre është në monitorimin e një pacienti tashmë të diagnostikuar dhe i trajtuar kirurgjikisht ose me metoda të tjera. Nëse pas trajtimit vlerat e markerave tumoral janë ende të larta kjo tregon se diçka nuk po shkon mirë.
Zakonisht pritet që pas një trajtimi të suksesshëm te tumorit këto vlera të normalizohen ose të ulen ndërkohë që rritja e tyre pas trajtimit kirurgjikal apo me metoda të tjera (pasi për një kohë të gjatë kanë qënë të ulura) e bën mjekun të dyshoj për një përsëritje të tumorit ose për një metastazë (ekzistence e tumorit dikur tjetër veç origjinës).
Këto analiza nuk duhen përdorur pa kriter dhe vleresimi i tyre duhet bërë me kujdes në mënyre që duke mos neglizhuar një sëmundje serioze mos të bëhen shkak për një frikë të panevojshme tek pacienti.