Trajtimi kirurgjikal i kancerit të mushkërive
Sipas të dhënave shkencore, kirurgjia është opsioni më efektiv për trajtimin e kancerit të mushkërive.
Sipas të dhënave shkencore, kirurgjia është opsioni më efektiv për trajtimin e kancerit të mushkërive. Megjithatë, për të përcaktuar nëse një pacient është i përshtatshëm për kirurgji, ekzistojnë disa kritere. Kriteri më i rëndësishëm është nëse sëmundja është përhapur jashtë mushkërive. Në rastet kur kanceri është përhapur, operacioni nuk rekomandohet. Për të vlerësuar përhapjen e tumorit brenda mushkërive, në gjendrat limfatike të kraharorit apo në pjesë të tjera të trupit, PET CT luan një rol të rëndësishëm.Gjithashtu, është e rëndësishme që kanceri i kufizuar brenda mushkërive të jetë teknikisht i mundur të hiqet plotësisht, me kufij të pastër përreth, pa lënë mbetje tumorale më pas.
Po ashtu, gjendja e përgjithshme e pacientit, sëmundjet shoqëruese dhe kapaciteti i mushkërive janë faktorë të tjerë vendimtarë në përshtatshmërinë për kirurgji. Me përparimet teknologjike dhe përmirësimet në kushtet reanimatore, shumë pacientë që më parë nuk e përballonin dot operacionin, tani e kanë më të lehtë për ta kryer atë.
Pas operacionit, është i domosdoshëm një bashkëpunim shumë i ngushtë midis kirurgut dhe pacientit, duke përfshirë ndjekjen rigoroze të ushtrimeve për rritjen e kapacitetit të frymëmarrjes dhe eliminimin e sekrecioneve të mbetura.