Roli i nyjes sentinale tek kanceri i mitrës
Si çdo organ, edhe mitra ka një rrjet nyjesh limfatike të cilat luajnë rol në luftën me kancerin.
Si çdo organ, edhe mitra ka një rrjet nyjesh limfatike të cilat luajnë rol në luftën me kancerin, po gjithashtu janë edhe një rrugë që ndjek kanceri në përhapjen e tij. Nyja, e quajtur ndryshe gjendra sentinale, është një ose disa gjendra që gjenden në frontin apo kufirin e parë të kësaj lufte apo përhapjeje.
Qëllimi i kontrollit nëse është apo jo e prekur nga qelizat kanceroze nyja sentinale, luan rol në stadifikimin e saktë të pacientit dhe si rrjedhojë edhe në trajtimin pas operacionit. Nëse pacienti nuk është stadifikuar siç duhet nuk mund të gjykojmë saktë rreth trajtimit të tij pas operacionit.
Sido që të jetë faza kur e diagnostikuam kancerin e mitrës në të gjitha rastet duhet ditur saktë prekja apo jo e gjendrave limfatike. Sidomos në rastet kur tumori është kapur herët nëse kontrollojmë veç nyjen sentinale dhe ajo del negative pra e paprekur prej tumorit, kjo do të thotë që edhe stacionet e tjera limfatike të mitrës janë të pastra dhe kështu parandalohet një pastrim i gjerë i gjendrave pastrim ky i panevojshë, i padobishëm dhe që mund të shkaktojë efekte anësore.
Tashmë metoda më e përhapur është operacioni i mitrës me laparoskopi ose robotik dhe gjetja e nyjes sentinele nëpërmjet ngjyrosjes së saj prej një lënde me ngjyrë që injektohet në mitër pak para fillimit të operacionit. Ky vlerësim bëhet kur pacienti është ende nën ndikimin e narkozës dhe sipas rezultatit që vjen për disa minuta vazhdohet pastrimi i mëtejshëm apo jo i gjendrave të tjera.