Këtu do të gjeni disa nga pyetjet më të shpeshta
Markerat tumoral janë disa parametra biokimik që maten në lëngjet e ndryshme të trupit ( kryesisht në gjak ) dhe që ndihmojnë mjekun për të dhënë një mendim rreth sëmundjeve tumorale. Disa prej tyre janë PSA, CEA, CA-19-9, CA125, AFP, CA15-3 etj.
Duhet të dimë se:
Markerat tumoral nuk përdoren për diagnostikimin e pacientit që dmth ashtu sikurse rritja e tyre nuk tregon domosdoshmërisht ekzistencën e një kanceri edhe të qënurit e tyre normal nuk vërteton mungesën e një tumori. Këto vlera mund të rriten edhe në disa sëmundje beninje pra që nuk janë kanceroze. Ata shërbejnë si ndihmës në diagnostikim përkrah dyshimit klinik dhe analizave të tjera imazherike dhe patologjike (biopsia).
Dobia e tyre është në monitorimin e një pacienti tashmë të diagnostikuar dhe i trajtuar kirurgjikisht ose me metoda të tjera. Nëse pas trajtimit vlerat e markerave tumoral janë ende të larta kjo tregon se diçka nuk po shkon mirë.
Zakonisht pritet që pas një trajtimi të suksesshëm te tumorit këto vlera të normalizohen ose të ulen ndërkohë që rritja e tyre pas trajtimit kirurgjikal apo me metoda të tjera (pasi për një kohë të gjatë kanë qënë të ulura) e bën mjekun të dyshoj për një përsëritje të tumorit ose për një metastazë (ekzistence e tumorit dikur tjetër veç origjinës).
Këto analiza nuk duhen përdorur pa kriter dhe vleresimi i tyre duhet bërë me kujdes në mënyre që duke mos neglizhuar një sëmundje serioze mos të bëhen shkak për një frikë të panevojshme tek pacienti.
Pankreasi është një organ i vendosur pas stomakut dhe roli i tij është të prodhojë disa enzima (apo lëngje) ndihmëse në tretjen e ushqimit si dhe prodhimi i disa homoneve mes të cilëve më i njohuri është insulina (hormon që luan rol në ekuilibrimin e sheqerit në gjak).
Pankreasi ndahet në katër pjesë anatomike dhe tumoret e secilës pjesë kanë një përqasje tjetër operative. Për shkak të vendosjes dhe faktit se është i rrethuar nga shumë organe të tjera , shqetësimet e tij neglizhohen pasi një pjesë e mirë e shqetesimeve janë të njëjta edhe me organet rreth e rrotull. Ashtu sikurse edhe organet e tjera edhe pankreasi ka disa lloje tumoresh por më i shpeshti prej tyre është ai që buron prej qelizave prodhuse të lëngut pankreatik dhe quhet në mjekësi adenokarcinom. Një tjetër veçori anatomike e pankreasit është se damarët (arteriet dhe venat ) më kryesore të zorrëve kalojnë pikërisht poshtë tij.
Afërsia e këtij organi me këto damarë dhe prekja ose jo e tyre prej masës tumorale luan rol të rëndësishëm në pëzgjdhjen e trajtimit kirurgjikal (sidomos nëse tumori gjendet në kokën e pankreasit). Ankesat më të shpeshta të kancerit të pankreasit janë zverdhja ( e cila shpesh herë shoqërohet me kruajtje të të gjithë trupit ), humbja ne peshë (pa ndonjë arsye tjetër si dieta etj), dhimbja e barkut ( e cila shpesh herë prek edhe shpinën). Diagnostikimi i tij bëhet nëpermjet aparateve radiologjike si skaneri i barkut, rezonanca magnetike (MRCP), ERCP etj. Endoultrasonografia është një tjetër lloj EKO-je që përdoret kohët e fundit në këtë fushë e cila kryhet nëpërmjet sondës së stomakut dhe ka më shumë ndjeshmëri. Markeri tumoral më kryesor është CA 19-9 analizë kjo që bëhet në gjak dhe rritet tek kanceri i pankreasit dhe i rrugëve biliare.
Kjo analizë u bëhet veç pacientëve që kanë diagnozën dhe nuk përdoret për të verifikuar nëse pacianeti ka kancer apo jo. Trajtimi bazë i kancerit të pankreasit është ai kirurgjikal për të cilin do të flasim me gjëre në artikullin tjetër.
Metastaza domethënë përhapja e qelizave tumorale prej vendit te origjinës në një zonë tjetër të trupit.
Kjo shpërndarje ndodh në disa mënyra por më të shpeshtat janë ato me anë të qarkullimit lenfatik dhe qarkullimit të gjakut. Vendi më i shpeshtë i metastazave janë gjëndrat linfatike të organit që preket.
Qelizat që përbëjnë metastazën edhe pse mund të ndodhen në organ tjetër janë po të njëjtat me origjinën. Pra një metastazë e kancerit të gjirit në mushkëri është kancer gjiri jo kancer mushkërie. Te njëjtat analiza që bëhen për diagnostikimin e tumorit bazë vlejnë edhe për diagnostikimin e metastazave pra filmimet radiologjike, analizat e gjakut etj.
Shenjat që shfaqin ndryshojnë sipas organit që kanë prekur kështu që çdo pacient i cili kurohet apo ndiqet periodikisht për shkak të një tumori që ka, duhet ta marri me seriozitet një simptom të re që nuk e ka patur më përpara dhe tja thojë mjekut i cili nëse e sheh të nevojshme kërkon analizat e duhura për të mos anashkaluar ndonjë persëritje apo përhapje të sëmundjes.
Biopsi, shkurtimisht do të thotë të marrësh një pjesë prej masës tumorale për ta analizuar dhe për të krijuar një ide rreth natyrës dhe llojit të tumorit.
Mjeku mund të dyshoj për masën se është malinje apo jo duke u bazuar në disa kritere që fillojnë nga anamneza , klinika, vizita fizike, skanimet radiologjike apo analizat e gjakut etj. Megjithatë asnjë lloj tumori nuk verifikohet apo specifikohet përfundimish pa u parë nga ana e patologut mikroskopisht.
Biopsia është kusht edhe në rastet kur pacienti nuk duhet të operohet por duhet dhënë kimioterapia apo radioterapia. Gjithashtu biopsia i jep mundësi mjekëve të bëjnë edhe analiza të tjera gjenetike apo molekulare mbi pjesën e marrë.