Rëndësia e pastrimit të gjendrave limfatike gjatë operacionit
Ky pastrim luan rol në heqjen maksimale tumorale, dhe më e rëndësishmja, bën që sëmundja të stadifikohet siç duhet.
Në një shkrim më parë folëm rreth sistemit limfatik dhe rolit të tij. Ky sistem kapilar i limfës ndodhet në çdo vend të trupit dhe çdo organi tashmë i dihet harta limfatike, pra lëngu ndërqelizor i këtij organi bashkë me ato që mbart brenda dihet tashmë se tek cilat gjendra limfatike derdhet.
Ky sistem mungon në kocka, dhëmbë, palcën e kockave dhe në tërë sistemin nervor qëndror. Në pjesët e tjera të trupit kudo ku ka kapilarë të gjakut ka dhe kapilarë limfatik.
Në kirurgjinë onkologjike, në të shumtën e rasteve ( bëjnë përjashtim disa diagnoza të rralla ose patologji që ende nuk janë kancerizuar) nuk mjafton heqja e organit primar në vetvete po duhet pastruar edhe gjendrat limfatike përkatëse të organit të sëmurë.
Kirurgu onkolog e njeh mirë këtë rrjet limfatik dhe di se cilën zonë të pastrojë. Ky pastrim luan rol në heqjen maksimale tumorale, dhe më e rëndësishmja, bën që sëmundja të stadifikohet siç duhet, infomacion ky që ndihmon shumë onkologun për zgjdhjen e ilaçeve apo rrezeve.