Paraqitja klinike e tumoreve të zorrës së trashë
Tumoret e zorrës së trashë, sipas vendodhjes në të cilën formohen, japin shenja të ndryshme.
Humbja e gjakut është më e shpeshtë tek tumoret e pjesës së djathtë, e si rrjedhojë çdo anemi e zbuluar sidomos në moshën e tretë derisa të vërtetohet e kundërta duhet marrë seriozisht dhe nuk duhet trajtuar me suplementa hekuri. Pjesa e majtë bllokohet më shpesh ku karakterizohet nga fryrja e barkut dhe mosdalja jashtë për disa ditë shoqëruar kjo me të vjella. Duke qenë se pjesa e djathtë e zorrëve është më e gjerë, bllokohet më rrallë.
Nganjëherë kanceri i zorrës së trashë të djathtë mund të shprehet tek të moshuarit si një tabllo e një apendiciti akut, prandaj në këto mosha shenjat e apendicitit duhen vlerësuar me kujdes para çdo lloj ndërhyrjeje pasi lloji i operacionit dallon në varësi të diagnozës.
Çrregullimet në jashtëqitje janë shenjë më e shpeshtë e tumoreve të zonës së majtë. Kapsllëku që herë pas here ndërron vend me diare ose dalja hollë e jashtëqitjes është një prej këtyre çrregullimeve. Shpeshherë një masë që preket në bark mund të jetë shenja e parë që vihet re prej pacientit.
Për më tepër informacione rreth kirurgjisë tumorale të zorrës së trashë na kontaktoni. Për çdo pyetje rreth trajtimit kirurgjikal do të merrni përgjigjen falas brenda 24 orëve.